Një numër gjithnjë e më i madh i dizenjuesve po praktikojnë metoda të reja të prodhimit duke krijuar produkte të cilat janë ekologjike dhe miqësore me mjedisin. E njejta gjë po ndodh edhe me fushën e ndriçimit në të cilën kohët e fundit po krijohen ndriçues të ndryshëm, shumë të veçantë duke përdorur polimerë bimorë të ripërdorshëm dhe materiale të tjera pas-konsumatore.
Më poshtë do të lexoni rreth disa kompanive të cilat prodhojnë ndriçues ekologjik duke shndërruar materialet e thjeshta në produkte mahnitëse.
The Bay Area– Kjo kompani është bërë e njohur për shkak të natyrës kontraverse, duke shkuar në drejtimin e kundërt të prodhimit tradicional me krijimin e ndriçuesve me anë të printerave 3D. Modelet fillojnë nga ato të tavolinës nga dizenjuesi Sam Gëilt që është inspiruar nga hëna duke krijuar formën e saj e deri tek ndriçuesit e tokës nga Louis Filosa. Produkte të tilla janë bërë duke përdorur materiale të riciklueshëm nga misri dhe kallami i sheqerit. Ky lloj prodhimi eliminon mbetjet e panevojshme.
David Trubridge– Trubridge ka një lidhje të thellë me natyrën dhe filozofinë e tij të dizajnit. Forma e secilit ndriçues është e inspiruar nga fenomenet organike – flokët e borës, diatomet mikroskopike në zinxhirin ushqimor oqeanik, puplat e një lloji zogu Tui etj. Materialet e tyre janë bambu dhe shiten në formën e një seti që duhet formuar nga vetë blerësi, duke zvogëluar kështu paketimet e panevojshme që janë të dëmshme për mbjedisin.
Graypants– është një kompani me qendër në Seattle e cila ka krijuar një koleksion të quajtur ‘’Scraplights’’ që janë të përbëra nga kartoni i valëzuar, një mbetje paskonsumatore. Skuadra e talentuar e tyre prodhon produkte si ndriçuesit e varur dhe ato të tavolinës duke i dhënë forma nga me të ndryshmet frymëzuar nga natyra. Disa prej tyre përfshijnë modele që imitojnë guralecat e plazhit ose foletë e zogjve.
LZF– Kjo kompani spanjolle krijoi një stil të ri ndriçimi në vitin 1998 duke krijuar një ndriçues të varur me dizajn të përdredhur të quajtur ‘Nut’. Ky model ka thurje delikate të rimesove prej druri të cilat avullohen për t’u bërë të duken si pëlhurë. Që nga viti 2012, kompania ka punuar ekskluzivisht me kompensatë të çertifikuar nga FSC. Paketimi bëhet me karton të riciklueshëm e gjithashtu qeset e biodegradueshme përdoren për të mbrojtur çdo produkt nga gërvishtjet gjatë transportit.
Danielle Trofe– Daniel Trofe është një dizajner që përveç krijimit të produkteve ekologjike ka bashkëpunuar ngushtë më biologë për të krijuar modele ndriçuesish të varur me përbërje nga miceli i kërpudhave. Koleksioni i ndriçuesve ‘’MushLume’’ krijohen nga ky material duke u kombinuar me materiale të tjera organike si kërcelli i misrit dhe lëvoret e farave. Çdo produkt është plotësisht i biodegradueshëm, kështu që kur mos të doni më ta keni si ndriçues mund ta mbillni në tokën e kopshtit tuaj për të rritur diçka të re.
Këto kompani ndriçimi konkretizojnë tendencën në rritje të produkteve me dizajne të qëndrueshëme, ku estetika dhe përgjegjësia që kemi ndaj mjedisit kombinohen së bashku. Zgjedhja e pajisjeve të ndriçimit ndihmon mjedisin dhe shton elemente dekori e ekologjike në shtëpinë tuaj.